Subscribe

Ankimimet e dy Partive Demokratike, njëra me kryetar Sali Berishën dhe tjetra me Lulzim Bashën, nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u vendos të mos merren në shqyrtim.

 

Në përfundim të seancës së njohjes me dokumentet e dy PD-ve, që kërkojnë të regjistrohen për vendoret e majit, KAS vëren se vendimi për regjistrimin ose jo të partive politike në zgjedhje i takon Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

 

Po aq KAS argumenton se Ilirjan Celibashi i shqyrtoi bashkërisht të dyja kërkesat e PD-së, pasi bëhet fjalë për të njëjtën parti politike dhe në fund nuk pati një vendimmarrje përfundimtare, por të ndërmjetme, duke i lënë PD-së 48 orë kohë për të plotësuar dokumentet.

 

Për këtë arsye, KAS refuzoi shqyrtimin e tyre për aq kohë sa Celibashi nuk ka thënë fjalën e fundit, se cilën nga Partitë Demokratike do të regjistrojë.

 

Me këtë vendim të KAS, nga e marta pritet të vendoset për fatin e demokratëve. Paraprakisht, Ilirjan Celibashi njeh si PD atë të drejtuar nga Lulzim Basha. Por këtij të fundit i kërkon që të firmosë ai dhe jo i komanduari i tij, Enkelejd Alibeaj, dekoratën ku angazhohet se do të respektojë detyrimet që i lindin nga kodi zgjedhor.

 

Duket se vendimmarrja e Ilirjan Celibashit është e paralajmëruar. Partia Demokratike rrezikon të mos regjistrohet për zgjedhje, për aq kohë sa është deklaruar zyrtarisht se Lulzim Basha nuk do të hedhë firmën e kërkuar.

 

Beteja për të patur edhe simbolet e PD-së në fletën e votimit, nuk mbyllet këtu. Ajo do të rikthehet në Komision të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *