Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rinumërojë të gjitha votat e qarkut të Tiranës. Partia Demokratike shfrytëzoi të drejtën ligjore të dy anëtarëve të propozuar nga ajo në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për të hapur 1281 qendrat e votimit të Tiranës.
“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS do bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë”, tha Ledio Braho.
Bazuar mbi këtë vendim do të rinumërohen rreth 450 mijë vota të Tiranës për partitë politike por edhe për kandidatët duke plotësuar kështu kërkesat e garuesve të PD si Ilir Alimehmeti për rinumërimin e votave.
Përveç Tiranës do të rinumërohen edhe 44 kuti në Dibër.
KAS pranoi kërkesën e PD për të rinumëruar vetëm votat e kandidatëve në këtë qark për shkak të pretendimeve të kandidatit Xhemal Gjunkshi.
Ndërkaq beteja e opozitës për përsëritjen e zgjedhjeve mori sot goditjen e parë. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e PD për shpalljen të pavlefshme në qarkun e Kukësit.
“Vendimi ynë nuk duhet të bazohet mbi hipoteza, por mbi prova. Kemi vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore numër 37, për subjektin zgjedhor PD-ASHM, për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të datës 11.05.2025 në zonën e Kukësit, si të pambështetur në ligj dhe në prova”, tha Ilir Rusmali.
Po sot në magazinat e KQZ në Vaqar u hapën 233 kuti të materialeve zgjedhore me kërkesë të PD.
PD kërkoi verifikimin e këtyre kutive pasi komisionerët kanë raportuar zero fletë votimi të papërdorura, ndërsa sipas KQZ komisionerët kanë bërë gabim raportimin pasi rreth 100 mijë fletë votimit të papërdorura ndodhen në këto kuti. Procesi i hapjes se kutive i dha të drejtë KQZ./vizionplus.tv





