Partia Demokratike reagoi ashpër pas vendimit të KAS-it për të mos pranuar kërkesën e saj për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Durrës. Sipas përfaqësuesit të PD-së, Marash Logu, anëtarët e KAS-it janë urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.

 

“Sot Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi tre ankime te paraqitura nga PD lidhur me qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. Nga ana e PD janë vendosur në dispozicion të KAS materiale shpjeguese, voluminoze mbi 200 faqe për secilën e këtyre qarqeve. Nga ana tjetër janë vendosur prova të shumta, në total për të treja qarqet, mbi 100 prova të cilat në vlerësimin tonë faktonin shkelje të rënda të ligjit. Pasur parasysh numrin e madh të çështjeve që kanë ndodhur para dhe pas procesit zgjedhor të 25 prillit në këto tre qarqe, pasur parasysh numrin e madh të provave dhe fakteve që i vumë në dispozicion të KAS me të drejtë kemi pritur që ky Komision të vepronte në përputhje me ligjin dhe të shmangte zbatimin e urdhërave politikë që vinin në telefonat ë tyre celular përpara çdo vendimmarrje të rëndësishme. Ata marrin urdhra politikë në telefonin e tyre qoftë nga kryeministri Edi Rama, drejtuesit politik si Taulant Balla, Damian Gjiknuri apo sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.”

 

Ai renditi të gjitha qarqet, ku sipas tij, ka prova të pakundërshtueshme për blerjen e votave.

 

“Ne kemi paraqitur prova dhe fakte të pakundërshtueshme se si në qarkun e Tiranës, Shkodrës apo Durrësit votat u blenë nga drejtues të lartë të PS në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar. Në qarkun e Durrësit kishte një skemë kriminale të mirëfilltë e drejtuar nga drejtuesi politik Ardian Çela i cili në bashkëpunim me ish- kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe me deputetë të skeduar në lidhje me krimin e organizuar, kam parasysh Yrges Çyrbja, Ilir Ndraxhi, apo Rrahman Rrahja, kishin ngritur struktura të mirëfillta për blerjen e votës. Blerje vote masive kishte edhe në qarkun e Shkodrës, ku Tom Doshi nëpërmjet lidhjeve të tij kriminale në zonën e Pukës apo të Vaut të Dejës, kam parasysh Mark Frroku blinin vota masivisht thjesht dhe vetëm për të pasur mjaftueshëm vota për mandatin e deputetit. është fakt i provuar se burimet shtetërore. Është fakt i provuar që burimet shtetërore në Qarkun e Tiranës, në Qarkun e Durrësit dhe të Shkodrës u përdoren masivisht në shërbim të PS. Kam parasysh këtu lejet e legalizimit, lejet e ndërtimit, tendera dhe kontrata publike si dhe çdo mjet tjetër dhe aset publik që ishte në dispozicion të shtetit.”

 

Këtë të martë, KAS-i pranoi kërkesën e LSI për të rinumëruar pjesërisht votat në Durrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *