Kartat bankare, pak përdorim: Qeveria të detyrojë me ligj tregtarët të vendosin POS-e
Shqipëria është ndër vendet e vetme në Europë, që ka një përfshirje të ulët të përdorimit të kartave bankare dhe shumë të lartë të parasë CASH.
Në Shqipëri numërohen rreth 1.2 milionë karta, nga të cilat kartat e debitit pra ato ku tërhiqet paga dominojnë, në raport me kartat e kreditit.
Por ajo që të bie më shumë në sy është se transaksionet me banka nga qytetarët janë minimaliste.
“Transaksionet me kartë në 2019 është rreth 5 milionë. Ndërsa në 2016 ishin vetëm 2.3 milionë. Veprimet për tërheqjen e CASH ne ATM në vitin 2016 ishin 14. 3 milionë, kurse në 2019, 16.5 mln. Pra tre herë më shumë veprime në ATM se në POS-tha Spiro Brumbulli nga shoqata e bankave.”
Ekspertë të ekonomisë thonë e gjithë kjo situatë vjen nga mungesa e njohurive, por edhe nga niveli i ulët ekonomik i familjeve shqiptare, të cilat janë të prirur të paguajnë me para në dorë për çdo lloj blerjeje
“Nuk është perceptimi i gabuar ndaj kartës apo ndaj bankës. Është problem njohjeje, është problem sigurie. Karta kërkon që të mirëmbahet dhe kërkon një përdorim, sidomos nëse do të blesh online.”
Për të nxitur më tej këtë fenomen, sistemi bankar I kërkon qeverisë që ta bëjë më ligj që çdo tregtar ta ofrojë këtë mënyrë pagese.
“Ne insistojmë në domosdoshmërinë e ofrimit të alternativave të pagesës. Çdo tregtar mallrash apo shërbimesh duhet të ketë në mënyrë detyruese një mënyrë tjetër përveç CASH-it që t’i ofrojë klientit për pagesë.”
Reduktimi i parasë CASH është një sfidë e çdo shoqërie, aq më tepër në shoqëri si e jona, ku 50% e popullsisë jeton në zona rurale dhe kanë pak ose aspak informacion për avatanzhet që ofron përdorimi i kartave.




