Subscribe

Saimir Korreshi, Edmond Spaho dhe Kastriot Piroli janë tre deputetët demokratë të radhës për të cilët Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e tyre për dhjetë ditë nga jeta parlamentare. Ata janë të fundit në radhët e opozitës që u ndëshkuan sipas rregullores së vjetër. Pas tyre çdo deputet demokrat që ndez tymuese, zjarr apo përplaset fizikisht me kundërshtarin rrezikon deri në 60 ditë përjashtim.

Me rregulloren e re të propozuar dhe të miratuar me procedurë të përshpejtuar nga socialistët, ndëshkimi ndaj thyesve demokratë të rregullave në parlament do të jetë edhe më i rëndë.

Masa disiplinore më e ashpër është ajo me dy muaj. Deputeti që përdor mjete piroteknike, tymuese apo lëndë të ngjashme për 60 ditë do të mbetet pa punë dhe pa rrogë.

30 ditëshi është në rastet kur një demokrat zihet me grushte me një socialist, ministër apo punonjës të Gardës së Republikës. Kjo masë është e vlefshme edhe kur deputeti protestues dëmton pajisjet e nevojshme për zhvillimin normal të një komisioni apo seance parlamentare.

Kur ka mbetur edhe një seancë për këtë sesion parlamentar, pritet të shihet sesi do t’i qaset pjesa më e madhe e opozitës masave të reja ndëshkuese nga janari e më pas, kur deputetët te rikthehen pas pushimeve të dimrit.

Prej tetorit kur deputetët mbështetës të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit u bënë bashkë kundër Edi Ramës që sipas tyre po i mohon të drejtat që ia njeh kushtetuta, janë me dhjetëra deputetët  demokratë që janë përjashtuar më shumë se një herë.

Përballë kaosit dhe rezistencë së pjesës më të madhe të opozitës për të mos u dorëzuar në betejën e tyre deri në plotësimin e kërkesave, PS, në mënyrë të njëanshme ndryshoi rregullat e lojës, rriti masën ndëshkimore dhe u hodhi në tryezë projektligjin e ri për ngritjen e komisioneve hetimore që është edhe një nga arsyet e sherrnajës në kuvend./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *