Kaosi ka mbërthyer Brazilin. Mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, pushtuan të dielën Gjykatën e Lartë, ndërtesën e Kongresit dhe rrethuan pallatin presidencial në Brasilia, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të humbura.

 

Protestuesit të cilët ishin me mijëra hynë në ndërtesën e Kongresit dhe Gjykatës së Lartë duke shkatërruar çdo gjë që gjendej brenda tyre. Imazhet i ngjanin pamjeve të 6 janarit 2021 kur mbështetësit e Donal Trump pushtuan Kapitolin.

 

Mbështetësit e Bolsonaros kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve të 30 tetorit, gjatë të cilave Luiz Inacio Lula da Silva u shpall president. Ish-kreu i shtetit e ka vënë në dyshim në mënyrë të vazhdueshme rezultatin e zgjedhjeve, por pa ofruar prova.

 

Gjykata e Lartë e Brazilit rrëzoi pretendimet e Bolsonaros për manipulim duke thënë se nuk ka asnjë provë. Bolsonaro u largua për në Shtetet e Bashkuara 48 orë para se të përfundonte mandati i tij duke mos njohur kështu rezultatin.

 

Në një konferencë shtypi nga shteti Sao Paulo, presidenti Da Lula lexoi një dekret që kërkonte nga qeveria federale të marrë kontrollin e sigurisë. Ai tha se të ashtuquajturit fanatikë fashistë, si dhe ata që financuan aktivitetet e tyre, duhet të ndëshkohen, dhe gjithashtu akuzoi Bolsonaron për inkurajimin e kryengritjes.

 

Bolsonaro hodhi poshtë akuzat e presidentit. Ai shkroi në Twitter se protesta paqësore është pjesë e demokracisë, por vandalizmi dhe pushtimi i ndërtesave publike janë përjashtim nga rregulli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *