Projekti më i dëshiruar nga ana e shqiptarëve, por edhe qeverive të ndryshme, “Trans Adriatic Pipeline”, nuk është ashtu siç duket! një investigim i gazetës “Il Manifesto” hedh dritë mbi ecurinë e këtij projekti dhe lidhjet e ngushta politike mes kompanive që janë bërë aksionere në këtë vepër gjigande dhe atyre që po e zbatojnë atë, kryesisht lokale. Shkrimi ngre pikëpyetje të forta për firmat që po ndërtojnë urat dhe rrugët lidhëse të “TAP” dhe lidhjet që kanë me ish-kryeministrin Berisha. Në një pjesë të dedikuar posaçërisht Shqipërisë, “Il Manifesto” e titullon ndërtimin e veprës në territorin tonë me emrin: kantiere fantazmë. Në fakt nuk ishte larg dita kur menaxherët e gazsjellësit deklaruan se 100 kilometrat e rrugëve lidhëse dhe 50 urat që do të ndihmojë infrastrukturën e këtij projekti janë pothuajse të përfunduara. Prandaj në datën 18 prill, u zhvillua edhe ceremonia e inaugurimit për mbërritjen e tubacioneve të cilat do të shtrihen në territorin shqiptar. Por gazeta e përmuajshme “Il Manifesto” thotë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur, pas konstatimeve që gazetarë të saj, kanë bërë në territorin e Shqipërisë.
“Në Shqipëri kemi ndjekur gjurmën e gazsjellësit nga fieri pranë bregdetit në Potam, në malet e Shqipërisë qendrore, duke gjetur kantierë të ndryshëm që po angazhohen me punët para konstruksionit. Më saktë në zgjerimin e 100 km rrugë dhe ura, si dhe në ndërtimin e rrugëve të reja që do shërbejnë për kantierët e projektit. Kantierë këto, që deri në fillim të majit ishin vetëm në letër pavarësisht ceremonisë së punimeve që u mbajt”.
“Il Manifesto” thotë se ish-kreu i qeverisë, Berisha stimuloi “Albpetrolin” për të marrë të drejtat ekskluzive të gazit përpara se ta privatizonte për llogari të ish-manjatit të arrestuar në Zvicër, Rezart Taçi, tender që dështoi. Pas kësaj, shkrimi akuzon Berishën se krijoi lidhje të ngushta me një nga kompanitë që po zbaton projektin dikur “EGL” dhe sot “AXPO”, dhe favoret që nuk po i merr më Taçi tashmë po i merr kompania “Gener 2”. Të dy firmat që po shtrojnë rrugët e “TAP” në Shqipëri janë përfolur për afera korruptive. Një vit më parë, Sicilsaldo u vu në qendre të vëmendjes nga mediat italiane për implikime me mafian e Cosa Nostra në territorin e Catanias. Vetë prokuroria italiane hapi një hetim për financime të jashtëligjshme që Sicilsaldo po i bënte organizatës mafioze.





