Subscribe

Mazhoranca është vendosur të kalojë këtë muaj projekt-ligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka deklaruar se në seancën e fundit para pushimeve, në 20 korrik, parlamenti do të votojë draftin, i cili kërkon 71 vota për t’u miratuar e socialistët nuk pritet të kenë probleme në parlament, pavarësisht se e gjithë opozita është kundër këtij ligji.

 

Nga ana tjetër, mazhoranca është e vendosur të kalojë këtë muaj edhe paketën e ligjeve që nxjerr jashtë politikës bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit.

 

“Pyetja që shtrohet është, a është dakord opinioni publik shqiptar që persona që kanë qenë pjesë e organeve represive të diktaturës të vazhdojnë si zvarranik të riciklohen, madje dhe të arrijnë në postet më të larta. Në rast se ish presidenti vërtetohet se ka qenë ish sigurims, Kuvendi ka marrë kaq shumë kohë sepse se nuk donin ta bënim pjesë të debateve të procesit të zgjedhjeve për ta lënë fokusin aty.”

 

Por socialistët kanë lënë jashtë axhendës parlamentare draftin e propozuar nga demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, të cilët kërkojnë lustracion të plotë, duke synuar që jashtë politikës dhe administratës të dalin jo vetëm bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, por gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë drejtuesit e lartë të diktaturës komuniste.

 

SALI BERISHA

 “Këta duan të bëjnë gjahun e shtrigave, sepse këta nuk e pranojnë ligjin e lustracionit, ligj i cili është i plotë, gjithëpërfshirës, por këta duan të vendosin amendamente vetëm në kodin zgjedhor, apo në ligjin e dekriminalizmit, të cilat janë dy ligje krejtësisht të ndryshme.”

 

Debati për nxjerrjen jashtë parlamentit të bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit nisi një vit më parë, kur autoriteti i dosjeve i dërgoi një letër kuvendit, ku shpjegonte se ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, rezultonte bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Socialistët kanë propozuar disa ndryshime që ndalojnë bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit të zgjidhen deputetë, apo edhe të drejtojnë parti politike. Sali Berisha ka propozuar një ligj të plotë lustracioni dhe një ligj të ngjashëm ka propozuar edhe Enkelejd Alibeaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *