Nënpresidentja Kamala Harris ndodhet në Bukuresht të Rumanisë, të premten, pas vizitës së saj të enjten në Varshavë të Polonisë, ku ajo nënvizoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj krahut lindor të NATO-s dhe mbështeti thirrjet për një hetim ndërkombëtar të Rusisë lidhur me bombardimin e dyshuar të një spitali ukrainas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara na ka dërguar këto hollësi.

 

Pamjet e tmerrshme nga bombardimi i dyshuar rus i një materniteti dhe spitali fëmijësh në qytetin ukrainas të Mariupolit… shtuan presionin mbi administratën Biden.

 

“Absolutisht duhet të ketë një hetim dhe ne të gjithë duhet ta vëzhgojmë”, tha nënpresidentja Kamala Harris.

 

Pas një takimi me presidentin polak Andrzej Duda në Varshavë të enjten, nënpresidentja Kamala Harris tha se do të mbështeste një hetim për krime lufte. Administrata më vonë sqaroi se ajo i referohej Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rusia në Ukrainë – jo Gjykatës Ndërkombëtare Penale, organi që ndjek penalisht krimet e luftës. As SHBA dhe as Rusia nuk janë palë të traktatit që krijoi gjykatën.

 

Moska tha se spitali ishte i pushtuar nga milicia ukrainase – një pretendim që shumë e vënë në dyshim.

 

“Incidenti i fundit me bombardimin e maternitetit në Mariupol është dëshmi e shënjestrim të civilëve. Pra, ka kuptim që mbledhja e vazhdueshme e provave dhe hetimet filluan në këtë pikë”, thotë Jessica Trisko Darden me Universitetin e Virxhinias.

 

Nënpresidentja Harris nënvizoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të forcuar krahun lindor të NATO-s, duke njoftuar dërgimin e dy baterive të raketave Patriot në Poloni. Përveç pranisë së saj të përhershme, Shtetet e Bashkuara ka dislokuar më shumë trupa në Poloni, Rumani dhe Gjermani me një total prej 100,000 ushtarësh të stacionuar në Evropë.

 

“Prania e nënpresidentes këtu në Poloni është një tjetër demonstrim i pranisë së Shteteve të Bashkuara në Poloni”, tha presidenti polak.

 

Pavarësisht tensioneve mes SHBA-së dhe Polonisë në fillim të kësaj jave mbi një marrëveshje për transferimin e avionëve luftarakë për të ndihmuar Ukrainën, analistët thonë se NATO-ja është kryesisht e bashkuar kundër Moskës.

 

“Shumë prej nesh janë të befasuar se sa mirë është mbajtur Perëndimi së bashku, dhe përballë një situate shumë sfiduese. Dhe, sinqerisht, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara”, tha Michael Baranowski me Fondin gjerman Marshall.

 

Zonja Harris u takua me kryeministrin kanadez Justin Trudeau në Varshavë, duke u zotuar të dy për solidaritet me Ukrainën dhe NATO-n. Nënpresidentja amerikane Hnjoftoi 53 milionë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën dhe falënderoi Poloninë që pranoi mbi 1 milion refugjatë ukrainas.

 

Të premten ajo shkon në Bukuresht për t’u takuar me krerët e Rumanisë, një tjetër aleat i NATO-s në krahun lindor./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *