Kallas: Dialogu Kosovë-Serbi, domosdoshmëri për të ecur drejt BE-së

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Ballkanin Perëndimor për vizita zyrtare në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka thënë se do të bisedojë me qeveritë dhe me shoqërinë civile për “rrugën e tyre drejt BE-së”.
Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.
“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X, në internet.
Back in the Western Balkans.
I will be visiting Serbia, Kosovo and North Macedonia in the next two days and engage with governments and the civil society on their EU path.
The Belgrade-Pristina Dialogue is a must in moving forward. Now is the time to re-engage. pic.twitter.com/u6dphKMOEp
— Kaja Kallas (@kajakallas) May 21, 2025
Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 dhe 23 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.
Në Beograd, ajo është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.
Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.
Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.
Vuçiç ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.
View this post on Instagram
BE-ja ka njoftuar se Kallas do ta takojë në Beograd edhe kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare, para se atje të mbajë një konferencë për media, të enjten.
Kallas më pas, gjatë ditës, do të udhëtojë drejt Prishtinës.
“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, ka bërë të ditur BE-ja.
Para takimit me ta, shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, në pasditen e së enjtes.
Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.
BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.
Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani./rel




