Temperatura rekord janë regjistruar në Kaliforni, ndërsa autoritetet po përpiqen që të hapin qendra të sigurta për të moshuarit, të varfërit dhe të pastrehët. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan përcjell nga qyteti i Los Anxhelosit të dhënat e fundit mbi situatën e vështirë dhe mbi mënyrat se si banorët po përballen me të.

Vullnetarët shpërndajnë ujë për të pastrehët, mes përpjekjeve për t’i shpëtuar të nxehtit në Los Anxhelos.

 

Kjo qendër për të moshuarit është e pajisur me kondicioner. Ajo është një ndër dhjetëra qendrat e hapura nga qyteti i Los Anxhelosit. Pajisjet që përdoren për të freskuar ambientit janë në punë pothuajse 24 orë.

 

“Dy ditët e fundit, temperaturat kanë qenë të larta edhe gjatë natës. Kjo është shumë e pazakontë sepse zakonisht kur dielli perëndon temperaturat ulen pak”, thotë Ricky Lavergne, banor i Los Anxhelosit.

 

Në qendrat e ngritura nga autoritetet për t’i ardhur në ndihmë banorëve, disa shkojnë vetëm për të kaluar pak orë me ajër të kondicinuar.

 

“Erdha këtu të qëndroj nën ajrin e kondicionuar. Kryesisht kam qëndruar brenda”, thotë Jane Sawyer, banore e Los Anxhelosit.

 

Kur bëhet fjalë për temperaturat e larta, situata është e pakrahasueshme me “Luginën e Vdekjes” në shkretëtirën e Kalifornisë, një nga vendet më të nxehta në tokë. Megjithatë qytete si Los Anxhelosi po përjetojnë temperatura më të larta se sa zakonisht.

 

“Kemi regjistruar temperatura rekord, por problemi me të cilin përballemi si qytet është kohëzgjatja. Temperaturat nuk janë të larta për një apo për dy ditë, ato zgjasin më shump ditë”, thotë Crisanta Gonzalez, nga Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave.

 

Zonja Gonzales ka disa këshilla për njerëzit.

 

“Sigurohuni që të mos lini fëmijët apo kafshët shtëpiake për asnjë moment në makinë. Duhet shumë kujdes”, thotë ajo.

 

Të mërkurën, Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, çka i hap rrugë rritjes së prodhimit të energjisë, përballë kërkesës së lartë. Ndërkohë autoritetet shqetësohen se temperaturat e larta mund të bëhen shkak për më shumë vatra zjarri në këtë shtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *