Subscribe

Ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe bashkimit të Preshevës, Medvegjes e Bujanovcit me Kosovën, duket se nuk po gjen mbështetjen edhe te koalicionit qeverisës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, edhe pse është shprehur pro ndërtimit të bazave të dialogut me Serbinë, shprehet se në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut.

 

 “Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut. Kosova do të shkojë në dialog, në mënyrë që finalja e tij të prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obliguese – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euroatlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët me SHBA-në dhe BE-në. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje. Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999.”

 

Kreu i PDK-së megjithatë kritikon partitë opozitare në Kuvend, të cilat nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore lidhur me dialogun .

 

“Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut, dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake e aspak shtetërore. Në një fazë tjetër, propozuam që konsensusi të ndërtohet në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvendin e Kosovës. Ofruam për diskutim edhe platformën me shkrim dhe arritje të konsensusit të përbashkët, por edhe kjo gjë nuk u mor parasysh.”

 

Kryparalamentari Kadri Veseli gjithashtu bën thirrje për ulje tensionesh, pasi në Kosovë është krijuar një klimë e panevojshme tensioni, frike e pasigurie, gjë e cila është në interesin e Serbisë për të krijuar një klimë dhe tendencë për të prodhuar tensione.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *