Subscribe

Fatbardh Kadilli, i cili humbi në garën për postin e kryetarit të Partisë Demokratike ka dorëzuar në selinë e PD, propozime konkrete për ndryshimin e statutit të kësaj force politike. Edhe pse ideja e tij për të ardhmen e Partisë Demokratike nuk u mbështet nga anëtarët e PD në 13 qershor, Kadilli këmbëngul në reformimin e PD.

 

“Synimi kryesor është çmontimi i monopolit të kryetarit, vendosja e primarit që e çon forcën e kësaj partie te vota e anëtarit dhe jo vula e kryetarit dhe ndryshime të tjera që bëjnë fleksible strukturën tonë. Këto janë ndryshimet kryesore që përbëjnë disa nene të statutit.”

 

Kadilli beson se i gjithë procesi i analizës dhe zgjedhjeve brenda PD nuk ka qëllim spastrimin e kritikëve nga forumet drejtuese.

 

“Nuk besoj se do ketë frymë spastrimi. Është përgjegjësi jo vetëm e kryetarit, por e gjithë partisë për të treguar se duhet të bashkëjetojmë politikisht, ku çdo mendim, sado i ndryshëm, duhet të jetë në parti.”

 

Kadilli është i pari që ka dorëzuar zyrtarisht propozimet e tij për ndryshimin e statutit dhe është i vetmi mes kritikëve që beson se procesi zgjedhor brenda partisë nuk do të shoqërohet me spastrime.

 

Grupimi për PD, pjesë e të cilit janë Nishani, Imami, Ristani, Edit Harxhi ka deklaruar se Lulzim Basha synon që të përdorë këtë proces për fushatën e fundit të spastrimeve në PD. Sipas tyre, vendimi për t’i ndërprerë mandatin Këshillit Kombëtar është i paligjshëm dhe synon nxjerrjen jashtë forumeve të kritikëve të Bashës.

 

Kryesia e PD ka vendosur që deri në 10 korrik, drejtuesit politikë të përfundojnë analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, dhe në 17 korrik do të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të miratojë ndryshimet në statut dhe do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *