Furnizimi i vendit me grurë dhe miell është i garantuar për të gjithë vitin. Këtë e konfirmon Irfan Tarelli, drejtor i politikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, i cili thotë se nuk ka vend për panik. Sasia e importuar deri më tani mbulon nevojën e konsumimit deri në qershor. Ndërsa më pas do të mbështetemi edhe te prodhimi ynë bujqësor.
IRFAN TARELLI
DREJTOR I POLITIKAVE BUJQESORE, MINISTRIA E BUJQESISE
“Rezervat e importuesve të grurit janë të mëdha. Ka edhe kontrata të lidhura me vende të tjera. Konfirmojmë që furnizimi me grurë, me miell dhe është i garantuar deri në fillimin e prodhimit të ri në vend, që nis që nga fundi i muajit qershor dhe gjithë korrikun, kemi sasi të konsiderueshme për furnizimin e gjithë popullsisë.”
Me grurin vendas që do të hidhet në treg në qershor do të mbulohen 50% e nevojave, ndërsa importuesit po negociojnë për të lidhur kontrata të tjera, në tregjet alternative.
IRFAN TARELLI
DREJTOR I POLITIKAVE BUJQESORE, MINISTRIA E BUJQESISE
“Sasitë janë të garantuara, deri në fillimin e korrjes së grurit, marrjen e prodhimit të ri, nuk ka asnjë shqetësim, me prodhimin e ri krijojmë një stabilitet. Me prodhimin e ri ne mbulojmë mbi 50% të nevojave në grurë dhe mbi 80% në misër. Nuk përbëjnë asnjë shqetësim. Pjesa tjetër duhet importuar, flasim për importe që shtrijnë efekte për të gjithë vendin. S’ka asnjë vend për panik.”
Që kur nisi lufta, qytetarët në të gjithë vendin po bëjnë blerje jo të zakonta nga frika se do të ketë mangësi në furnizime dhe çmimet do të rriten nga lufta Rusi-Ukrainë, duke qenë se janë nga eksportues të mëdhenj global të grurit. Blerjet janë përqendruar kryesisht në miell, por këshilla që japin operatorët për ta është që të qetësohen.