Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar këtë të hënë për gjykim dosjen e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, pjeësë e të cilës janë edhe Ahmet Masha dhe Altin Hajri.
Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-ligjvënësin socialist për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.
Konkretisht bëhet fjalë për dekonspirimin e aksioneve policore, nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.
Ish-deputeti i PS besohet se ka punuar për grupe kriminale që operonin ndër vite në zonën e Durrësit dhe të Shijakut, grupe të përfshira në trafikun e drogës, vrasje si dhe krime të tjera të rënda.
Referuar dosjes hetimore të SPAK, theksohet se Çyrbja kishte miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte për problemet me drejtësinë në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.
Altin Hajri ndërkohë vijon që të jetë në kërkim, në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, i cili dyshohet se u dhunua për vdekje në Kompleksin Golden në Shijak, kompleks në pronësi të Hajrit.
Jan Prenga u mor peng në Kamëz për shkak të përplasjeve të vëllait të tij për trafikun e drogës.
Urdhri për Prengën dyshohet se u dha nga Dritan Rexhepi, i cili në atë kohë ndodhej në Ekuador./vizionplus.tv





