Juglindja mbyll sezonin dimëror, operatorët: Të kënaqur me fluksin e lartë të vizitorëve vendas e të huaj
Juglindja e Shqipërisë ka qenë një nga destinacionet më të kërkuara turistike edhe gjatë sezonit dimëror. Turistë të shumtë vendas, por edhe të huaj, kanë zgjedhur të kalojnë fundjavat në zonat malore të kësaj treve, veçanërisht në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës, sidomos në ditët kur reshjet e dëborës krijojnë një atmosferë të veçantë dimërore.
Në Dardhë, një nga atraksionet kryesore mbetet skipista, e cila këtë sezon është frekuentuar nga një numër i madh vizitorësh. Administratori i skipistës, Thoma Tasha, tregon se gjatë gjithë sezonit dimëror pista ka pritur jo vetëm turistë vendas, por edhe të huaj, të apasionuar pas sporteve të dëborës.
Edhe Voskopoja sipas operatorit turistik Anton Falo ka qenë një tjetër pikë e preferuar për turistët.
Gjatë sezonit dimëror hotelet dhe bujtinat në qytetin e Korçës kanë pritur një numër të madh turistësh vendas dhe të huaj.
Sipas përllogaritjeve minimale, vetëm në periudhën nga 23 dhjetori deri më 3 janar, të ardhurat nga turizmi në qytet kanë arritur mbi 2.5 milionë euro, duke konfirmuar edhe një herë rolin e rëndësishëm të turizmit dimëror në ekonominë e zonës.




