Duket se nuk do të ketë më të ardhme për Joe Hart te Manchester City. Vetë portieri anglez i cili këtë sezon aktivizohet si i huazuar te Torino në Serie-A, ka folur hapur për cështjen e tij me skuadrën e Pep Guardiolës, duke rrëfyer se nuk e sheh më veten të luajë sërish në Premier-League.

 

29-vjecari iu bashkua Torinos në gusht pasi u konsiderua si zgjedhje e dytë nga trajneri spanjoll, i cili ia besoi portën në Etihad Claudio Bravos. Hart rrëfeu së fundmi se e priste një lëvizje të tillë nga ana e Guardiolës, pasi ai kërkon më së shumti një portier që luan me këmbë. “E di që s’kishte asgjë personale me mua dhe s’e bëri atë zgjedhje që të më shkatërronte karrierën. Por përkundrazi, pasi kështu ai mendonte se mund ta bënte skuadrën edhe më të fortë” – tha Hart, i cili theksoi se e vlerësonte faktin që Guardiola u tregua i hapur me të.

 

Por gjërat nuk kanë ecur ashtu sikurse e mendoi spanjolli në fillim të seoznit. Te Manchester City-i, Bravo ka hasur në mjaft kritika. Ish-portieri i Barcelonës, u transferua për 15 milionë paundë në gusht, por që prej 21 janarit, vendin e titullarit e ka marrë 35-vjecari Willy Caballero, i cili ishte portier i dytë edhe kur në skuadër ishte Joe Hart.

 

Guardiola deklaroi pak javë më parë se nuk do të vendoste përfundimisht për të ardhmen e 29-vjecarit së paku deri në fund të sezonit, por sipas së gjitha gjasave Hart nuk do të kthehet më te City. “Dua që të luaj për një klub që më do realisht si portier të parë” – ka thënë Hart.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *