Joe Biden fitoi mbi 95 për qind të votave të numëruara në shtetin e Karolinës së Jugut. Votimi në këtë shtet federal shihet si një provë e suksesit të fushatës së Bidenit, në kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Biden me këtë fitore nënvizoi mbështetjen për një kandidaturë të re.
Asnjë konkurrencë
Pas numërimit paraprak të votave, 81-vjeçari në detyrë arriti mbi 96% të votave, njoftojnë mediat amerikane. Sfidanti i tij për nominimin, shkrimtari Marian Williamson, fitoi dy për qind të votave, ndërsa kongresmeni Dean Phillips 1.6 për qind.
Biden kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai nuk ka konkurrencë serioze brenda partisë së tij demokratike. Kjo do të thotë se kandidati i demokratëve, presidenti 81-vjeçar është praktikisht tashmë i vendosur si kandidat në zgjedhjet e ardhshme.
Votimi në Karolinën e Jugut shihet si testi i parë i madh i fushatës së tij – edhe për shkak se shteti konservator jugor i SHBA është i banuar me shumë shtetas me ngjyrë, votat e të cilëve janë veçanërisht të rëndësishme për fushatën e Biden në të gjithë vendin.
Rezervime dhe shqetësime
Megjithatë, tek këto grupe të votuesve, ka rezerva jo vetëm për shkak të moshës së shtyrë të Bidenit, por edhe shqetësime për çmimet e larta të konsumit. Siguria në kufirin SHBA-Meksikë ishte gjithashtu një faktor që mund të kishte një ndikim negativ.
Kushdo që dëshiron të bëhet kandidat për president të Shteteve të Bashkuara duhet të fitojë fillimisht zgjedhjet e brendshme partiake. Kandidatët më pas zgjidhen zyrtarisht në mbledhjet e partisë në verë. Zgjedhjet presidenciale mbahen në fillim të nëntorit. Nga kandidatët republikanë për president, vetëm ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe ish-ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley janë ende në garë. Trump po dominon tani për tani këtë garë të republikanëve./DW/