Kaloritë shpesh konsiderohen si një vlerë fikse, por ekspertët theksojnë se dy persona që konsumojnë të njëjtin ushqim në të njëjtën sasi nuk përthithin domosdoshmërisht të njëjtën energji.
Sipas dietologëve, mënyra se si funksionon tretja, përbërja e mikrobiomës së zorrëve dhe struktura e ushqimit ndikojnë në sasinë e energjisë që organizmi arrin të marrë. Kaloria është njësi matëse e energjisë që trupi përfiton pasi ushqimi tretet dhe përpunohet.
Një rol të rëndësishëm luajnë bakteret e zorrëve, të cilat ndryshojnë nga një person te tjetri. Për këtë arsye, edhe i njëjti ushqim mund të përpunohet ndryshe. Për shembull, dy persona që konsumojnë një patate të pjekur mund të përthithin sasi të ndryshme energjie, në varësi të mënyrës se si mikrobioma e tyre përpunon niseshtenë.
Përthithja ndikohet gjithashtu nga enzimat tretëse. Mungesa ose prodhimi i pamjaftueshëm i tyre mund të pengojë zbërthimin e yndyrave, proteinave dhe karbohidrateve. Gjendje të tilla si intoleranca ndaj laktozës, pamjaftueshmëria e pankreasit, sëmundja celiake dhe sëmundja e Crohn-it mund të ndikojnë në përthithjen e lëndëve ushqyese.
Ekspertët theksojnë se shumica e njerëzve nuk kanë arsye të shqetësohen për këto ndryshime, përveç rasteve kur kanë probleme shëndetësore të sistemit tretës. Në vend që të përqendrohen vetëm te numërimi i kalorive, specialistët rekomandojnë vëmendje më të madhe ndaj cilësisë së ushqimit, vlerave ushqyese dhe sinjaleve të trupit, pasi përthithja e energjisë ndikohet edhe nga biologjia individuale.
/vizionplus.tv





