“Jo politikës së ndasisë”/ Rama në Lushnje, vlerëson kandidaten Eriselda Sefa
Në 6 mars, lushnjarëve u kërkoi të mos e humbasin mundësinë për të sjellë në krye të bashkisë socialisten Eriselda Sefa. Të rinjve kryeministri Edi Rama u la si porosi të bashkohen për t’i thënë jo politikës së ndasisë, siç prezantohet para elektoratit Partia Demokratike, mes Luzim Bashës që kërkon të mbajë karrigen e kryetarit dhe Sali Berishës që kërkon t’ia marrë.
“Nuk i njoh ata dhe nuk do flas asnjë fjalë për ta. Por fakti që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë bravën dhe bishtin e varresë, i skualifikon në sytë e mi dhe mendoj se duhet t’i skualifikojë në sytë e çdo shqiptari, përkundër Eriseldës që është një vajzë e ardhur pikërisht nga kjo tokë në një rrugëtim që e ka nisur shumë vite më parë dhe në të cilin ka hedhur hapat duke pasur ambicien e pa qenë vajza e dikujt me mbiemër të famshëm.”
Pjesëmarrjen në zgjedhjet për kryebashkiakun e ri të Lushnjes dhe votën për kandidaten socialiste, Edi Rama e quajti si respekt edhe për të gjithë ata ukrainas që sot nuk mund ta bëjnë për shkak të luftës atje.
“Të bëjmë të gjithë një përpjekje më shumë që t’u themi edhe të tjerëve që mbase janë mësuar të mos votojnë, e konsiderojnë krejt të panevojshme që të marrin pjesë në këtë proces, që kjo duhet bërë për respekt të të gjithë atyre që sot nuk e kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, për respekt të gjithë atyre që janë në kushtet ku mund ta humbin përgjithmonë një mundësi të tillë.”
Në shenjë solidarizimi, të rinjtë lushnjarë mbanin fjongon me ngjyrat e flamurit ukrainas, për të cilën kryeministri u tha se duhet të mësoni të vlerësoni atë që bashkëmoshatarët tuaj nuk e kanë, lirinë.
“Jo vetëm ne këtu, por edhe të tjerët, në Evropën e zhvilluar, prej shumë e shumë vitesh e kishin marrë për të mirëqenë gjithçka që kishin dhe iu dukej sikur të gjitha ato që kanë ndodhur më parë nuk do të përsëriteshin më kurrë. Ja pra që liria qenka shumë e shtrenjtë ende sot që flasim.”
Pas takimit me të rinjtë, kryeministri Edi Rama u ndal në Lushnje edhe në një takim për Këshillimin Kombëtar.




