Subscribe

Të gjithë sipërmarrësit që kanë bërë deklarime të rreme apo kanë falsifikuar bilancet, tashmë mund t’i korrigjojnë pa marrë penalitete nga administrata tatimore. Gjatë një takimi me doganierë, tatimorë dhe biznese në Durrës, Ministri i Financave Arben Ahmetaj njoftoi ndryshimin e ligjit për procedurat tatimore, ku i jepet mundësia të gjithë ndërmarrjeve që përpara kontrollit të bëjnë dhe njëherë deklarimet e sakta, duke shmangur kështu gjobat.

“Do t’i japim të drejtën sipërmarrjes që përpara se të ketë ardhur kontrolli i tatimeve, ju të keni një mundësi të dytë për t’u vetëkorrigjuar pa penalitete, gjë që ne besojmë se është një shenjë jashtëzakonisht shumë e maturuar e një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen”.

Ahmetaj tha se nuk është qëllimi të penalizohen bizneset, për këtë ai premtoi se nuk do të ketë më rritje taksash, madje në 2017-ën nuk do të rritet as akciza, e cila ishte e parashikuar në programin e qeverisë.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë ndryshim tatimor, madje edhe akcizën që kemi parashikuar në ligj nuk do ta ndryshojmë, pra do të kemi ngrirje të akcizës në nivelin aktual. Të vetmet ndryshimet fiskale do të jenë lehtësimi i procedurave. Pra paketa e re  fiskale që ne do të paraqesim në Qeveri dhe në Parlament, do të jetë thjeshtëzimi i procedurave qoftë tatimore, qoftë doganore.”

Ministri i Financave u kërkoi strukturave doganore në Durrës që të krijojnë një korsi të gjelbër për eksportuesit, në mënyrë që të zhduken vonesat. Deklarata e tij vjen menjëherë pas ankesës së shoqatës së fasonëve dhe letrës që i ka drejtuar kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili për vonesat që hasin në dogana produktet që shiten jashtë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *