Qeveria e Kosovës tha, se është e shqetësuar dhe e kundërshton një propozim të fundit të Komisionit Evropian, sipas të cilit vizat nga 1 janari i vitit 2024 duhet të hiqen edhe për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë të lëshuara nga një Drejtori Koordinuese e Serbisë që funksionon në Kosovë. Për qeverinë e Kosovës, kjo drejtori Koordinuese është strukturë ilegale e Serbisë në Kosovë dhe si e tillë duhet të cilësohet e jashtëligjshme edhe nga Komisioni Evropian. Qeveria e Kosovës, thotë se qytetarët serbë të Kosovës duhet të pajisen me pasaporta të Kosovës që të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.

Ndryshim i qëndrimit të Komisionit Evropian

Në prill të këtij viti, vetë Komisioni Evropian kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese, e cila punon në Kosovë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Por me propozimin e ri, KE-ja tha se tashmë nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë, tha se “propozimi i fundit i KE-së për pasaportat që lëshohen “nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar fare me Qeverinë e Kosovës”. “Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Qeveria e Kosovës e fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, shkroi Bislimi në një reagim.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nuk nënkupton që pjesëtarët e komunitetit serb do të mbesin pa liberalizim, sepse ata, mund të pajisjen me pasaporta të lëshuara nga Kosova. “Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta të Kosovës. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës”, shkroi Bislimi.

Shoqëria civile reagon me një letër tek Komisionerja e BE për Çështje të Brendshme

Reagime ka pasur edhe nga rrjetet e organizatave të shoqërisë civile shqiptare dhe serbe në Kosovë, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me propozimin e KE-së për serbët që bartin pasaporta të Serbisë. Mbi 20 organizata të shoqërisë civile shqiptare të Kosovës, i dërguan një letër, Komisionares Evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, nga e cila kërkuan që  Komisioni Evropian të tërheqë propozimin. “Ky propozim do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës përmes pajisjes me dokumente të Kosovës dhe do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serbë të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”, thuhet në letër.

Argumente të kundërta vijnë nga një letër publike e 15 organizatave joqeveritare serbe të Kosovës. Aty thuhet se “argumentet se heqja e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë pengon integrimin e tyre në Kosovë, nuk qëndron”. “Nuk do të integrohen më shumë serbë të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë, pra me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”, thuhet në reagimin e organizatave joqeveritare serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, kanë të drejtën e dy shtetësisë dhe mund të mbajnë pasaportë të Serbisë. Kosova ishte vendi i fundit në Ballkan dhe Evropë, i cili nuk ishte përfshirë në liberalizimin e vizave. Por me vendim të Komisionit Evropian dhe në pajtim me shtetet e zonës Shengen, nga 1 janar i vitit 2024 edhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *