Divorci po bëhet një fenomen gjithnjë e më i zakonshëm, me një numër rastesh që rritet nga viti në vit. Sipas sociologëve, një nga arsyet që ndikon në prishjen e martesave vitet e fundit është përplasja mes realitetit dhe botës virtuale, një botë që shpesh krijon pritshmëri të larta dhe të paarritshme për partnerët.
“Ndikojnë disa arsye ekonomike, sociale, por edhe kulturore. Do ta nisja me konceptin mbi veten. Sot njerëzit duan të kërkojnë më shumë aspekte ekonomike, por edhe shpirtërore, dhe shtyjnë moshën e martesës. Duke qenë se e kërkojnë deri në një moshë të caktuar, priren të ndahen nëse nuk e kanë përmbushur pritshmërinë.
Një aspekt që mund të jetë i fshehur, por që them se ndikon shumë, është elementi krahasues. Pothuajse të gjithë krahasojnë veten me të tjerët. E krahasojnë veten me influencerët, video, foto, mesazhe që transmetohen në Instagram, dhe partneri u duket më pak i bukur, më pak i mirë, më pak angazhues, dhe këto sjellin gjatë gjithë kohës konflikte”, tha sociologia, Marsi Simo.
Rastet më të vështira, megjithatë, vazhdojnë të mbeten ato ku konflikti mes palëve është i thelluar, veçanërisht kur ka raste dhune.
“Rastet kur kemi dhunë në familje dhe denoncime nga njëri bashkëshort për tjetrin janë të ndërlikuara. Është e miksuar procesi penal me atë civil. Janë procese tejet të vështira, sepse ecin paralel”, tha avokati Erid Sherifi.
Avokatët vënë në dukje gjithashtu se përveç arsyeve sociale dhe ekonomike, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e numrit të divorceve janë edhe martesat fiktive, të cilat nuk bazohen në një lidhje të vërtetë, por kryhen për përfitime personale.
/vizionplus.tv