Mimi Kodheli, e ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” me moderatren Brikena Prifti ka rrëfyer detaje nga jeta e saj jashtë “syrit” të politikës.
Ajo u ndal tek pushimet gjatë verës, ku cilësoi jugun e Shqipërisë si destinancionin e preferuar për të kaluar pushimet.
“Pushoj gjithmonë në jug, e dua jugun. Une kam bërë, para shumë kohësh muajin e mjaltit në Dhërmi,” tha Kodheli.
Mimi Kodheli nuk mund të mos ndalej tek politika. Ajo u shpreh se politika shqiptare nuk është në nivelin e duhur. Kodheli gjithashtu ftoi publikun për të marrë pjesë më shumë në politikë, pasi sipas saj luajnë një rol shumë të rëndësishëm.
“Mendoj që politika sot duhet të ishte më e pjekur, më pranë realitetit, më pak dukje, më shumë brumë. Shpesh herë me politikën abuzohet. Konsiderohet politikan çdo njeri që ka një ekran dhe një mikrofon përpara, por që nuk ka profesionalizmin e duhur. Na duhet akoma shumë kohë për të emancipuar politikën dhe shoqërinë në të njëjtën kohë. Do doja që publiku të ishte më pjesmarrës në politikë. Kjo e emancipon politikën shumë dhe e bën politikanin më të vetëdijshëm. Kam garuar deri në 2005 për të dalë deputete. Nuk e kam pasur kurrë problemin grua-burrë. Këtë e kam bërë në shkollë, në mjedise të tjera. Jam lënduar nga çdo gjë e pavërtetë, por më shumë jam lënduar që familjarët e mi lëndohen. Në CV-në time nuk ka asnjë muaj bosh dhe këtë e them me krenari”, deklaroi Kodheli.
Kodheli përmendi Majlinda Bregun dhe Jozefina Topallin si dy zonja politikane që i vlerëson shumë. Ajo gjithashtu dha mesazhe të forta për barazinë gjinore dhe rëndësinë e grave në fushën e politikës.
“Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu janë dy polkitikanet që unë volerësoj shumë. Kam marrëdhënie shumë të mira me zonjat e parlamentit, lavdërova vetëm dy zonjat e opozitës”, shtoi Kodheli.
Në rolin e gjyshes, Kodheli e emocionuar u shpreh se është një etapë shumë e rëndësishme kur ke një nip ose mbesë. Ajo tha se ndihet shumë e lumtur që Zoti i ka dhënë mundësinë të shijojë këtë etap.
“Është një ndjesi që ti e përjeton ndryshe çdo ditë. Është ndryshe nga ndjesia kur bëhesh prind. Nipi është një kombinim i të dy prindërve, se po thashë që i ngjan të ëmës, i ngel hatri të atit dhe e kundërta. E rëndësishme është të jetë një qytetar i mirë dhe sidomos i shëndetshëm. Gjyshi kujdest më shumë për nipin, unë nuk kam aq kohë”, tha Mimi Kodheli. /vizionplus.tv





