Subscribe

Nga tragjedia, në dramë e  komedi, kjo është larmishmëria e shfaqjeve që ofrojnë teatrot e kryeqytetit përgjatë fundjavës.

Teatri Kombëtar vijon rrugëtimin me një prej premierave më të suksesshme të këtij sezoni artistik, atë të “Biznesmenit”.

Një dramë që flet shqip, e depërton në skutat më të errëta të ndërgjegjes njerëzore, nën regjinë e Gëzim Kames e interpretimin e artistit të mirënjohur Viktor Zhusti dhe aktorëve Genti Kame, Ahmet Pasha, Myzafer Zifla, Niada Saliasi, etj.

Teatri Eksperimental vazhdon traditën me dy shfaqje të ndryshme, me kryeveprën botërore “Princi i vogël” për të gjithë fëmijët në pjesën e parë të ditës, dhe me “Dashuritë e Presidentit”,  për të rritur në mbrëmje.

Për të gjithë vogëlushët ka menduar edhe Teatri i Kukullave. Komedia satirë, që shtjellon një ngjarje të njohur nga fëmijët “Hirushja” do të luhet nga trup artistike e teatrit gjatë kësaj fundjave në orën 11.00 në sallën Tonin Harapi te Liceu Artistik.

Paralelisht në të njëjtin orar edhe Cirku Kombëtar vijon shfaqjet e tij çdo të shtunë e të diel në sallën e kinemasë në qendrën Kristal.

Një katastrofë familjare në sfondin e një bote të trazuar, rrëfehet në premierën “Para Perëndimit”, e cila ka nisur të jetësohet në Teatrin Metropol.

Por teatrot nuk janë të vetmet aktivitete kulturore që Tirana ofron. Për të gjithë artdashësit e muzikës lirike, në skenën e teatrit të operës dhe baletit do të ngjitet opera “La boheme” e Giacomo Puccinit. /vizionplus.tv

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *