Mijëra palestinezë kanë mbushur rrugët drejt Jerusalemit, bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, duke protestuar kundër vendimit të presidentit të SHBA Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit.
Në Bregun Perëndimor, palestinezët u përleshën me forcat izraelite gjatë mbrëmjes së të enjtes. Mbi 50 persona u plagosën, 16 prej të cilëve u dërguan në spital, si pasojë e përplasjeve me Ushtrinë Izraelite në Rripin e Gazës.
Mediat raportojnë se forcat izraelite kanë përdorur gazin lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve.
Më shumë protesta janë paralajmëruar të mbahen në territoret palestineze këtë të premte, ndërsa Izraeli ka marrë masa, duke vendosur qindra trupa shtesë në Bregun Perëndimor.
Tentativa e Donald Trump për vendosjen e paqes mes Palestinës dhe Izraelit, duket se nuk shkoi siç presidenti amerikan e kishte planifikuar.
Nga ana tjetër, nga Shtëpia e Bardhë, i ka kërkuar drejtuesve palestinezë të mos e anulojnë vazhdimin e bisedimeve me zëvendëspresidentin Mike Pence, pas vendimit për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit.
Apeli erdhi vetëm pak orë pasi një zyrtar i lartë palestinez tha se Majk Pence nuk është i mirëpritur për të vijuar bisedimet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, bisedime te cilat ishin planifikuar të mbaheshin në gjysmën e dytë të dhjetorit.





