Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e kryeministrit Olaf Scholz.

 

Në deklaratën me shkrim, ajo ka përmendur “muaj të fokusit medial” mbi të, dhe se diçka e tillë ka ndërhyrë në debatin faktik për ushtrinë dhe politikat e Gjermanisë për sigurinë.

 

“Puna e vlefshme e ushtarëve dhe e shumë njerëzve në departamentin tim duhet të jetë në plan të parë”, ka thënë ajo.

 

Vendimi i saj është goditje për Scholzin, në kohën kur Gjermania është nën presion për të miratuar ndihmën shtesë për Kievin, si dhe në kohën kur kapacitetet e Gjermanisë në mbrojtje janë vënë në dyshim, pas heqjes nga përdorimi të tankeve Puma, gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake.

 

Presioni për të gjetur një pasardhës është në rritje e sipër edhe për faktin se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pritet të vizitojë Berlinin të enjten dhe të marrë pjesë në një konferencë më pas të premten në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, për të diskutuar mbështetjen e mëtejmë për Ukrainën.

 

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se Lambrecht i ka kërkuar zyrtarisht kancelarit dorëheqjen dhe ai e ka miratuar atë.

 

E përditshmja gjermane The Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka cituar disa burime të saj të kenë thënë se pasardhësi i Lambrecht do të bëhet i ditur të enjten.

 

Lambrecht, 57-vjeçare, ka qenë ministre e Mbrojtjes prej kur Scholz është bërë kancelar, në dhjetor të vitit 2021.

 

Pavarësisht kritikave ndaj saj, Scholz e ka përshkruar atë si “ministre të mbrojtjes të klasit të parë”.

 

Lambrecht ka qenë e përfshirë në qeveritë e kaluara në sektorin e financave, si dhe në atë të grave dhe familjeve.

 

Ajo ka qenë e respektuar në ato role, mirëpo ka pasur kritika se nuk ka pasur lidhjet e duhura me Ministrinë e Mbrojtjes./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *