Ashtu si të gjitha gjendjet shëndetësore që përfshijnë dhimbjet, edhe dhimbjet e kokës janë të vështira për t’u kategorizuar. Një dhimbje koke që dikush mund ta quajë të ‘tmerrshme’, për dikë tjetër mund të jetë e lehtë. Megjithatë, duhet të kërkoni vëmendje mjekësore nëse dhimbja e kokës nuk është si herët e tjera.

 

Kështu, nëse nuk keni pasur më parë dhimbje koke dhe tani keni gjatë gjithë kohës, duhet të konsultoheni me një mjek për këtë. Këto janë disa nga shenjat paralajmëruese të dhimbjeve të kokës, të cilat kërkojnë vëmendje mjekësore:

 

Dhembje therëse në kokë që shkaktohen krejt papritur, “si rrufe” :

Nëse krejt papritur filloni të ndieni dhimbje therëse në kokë, sikur dikush ju ka gjuajtur me çekiç në kokë, është diçka serioze. Mund të jetë ndonjë hemorragji cerebrale e shkaktuar nga aneurizmi. Është një dhembje koke e rrezikshme, prandaj duhet të kërkoni menjëherë vëmendje mjekësore.

 

Dhimbja e kokës që ndryshon:

Mendojeni dhembjen si të ishte një këngë. Nëse ndryshon vetëm volumi, nuk është diçka për t’u shqetësuar. Por, nëse ndryshon muzika, pra lloji i dhimbjes (është më intensive dhe ndryshe nga herët e tjera), në këtë rast duhet të kërkoni vëmendje mjekësore.

 

Dhimbja e kokës nuk është shqetësimi i vetëm:

Një dhimbje e tmerrshme e kokës e shoqëruar me temperaturë është shqetësuese. “Mund të tregojë për një infeksion të trurit, diçka si meningjiti”, thonë ekspertët. Mund të jetë gjithashtu shenjë paralajmëruese e encefalitit, ose inflamacionit të trurit. Sidomos, nëse dhimbja e tmerrshme e kokës dhe temperatura shoqërohen me një gjendje të alternuar mendore – nuk kujtoni as emrat e fëmijëve – kjo është një arsye e mirë përse duhet të kërkoni vëmendje mjekësore.

 

Dhimbja është mbrapa ose përreth syve:

Nëse ndieni dhimbje edhe në sy, përveç dhimbjes së kokës, sidomos nëse ka filluar t’ju turbullohet edhe shikimi, është për t’u shqetësuar. Shqetësimi kryesor këtu është glaukoma akute, ose ushtrimi i presionit tek njëri sy që ndalon rrjedhjen e gjakut dhe mund të çoj në verbim.

 

Dhimbja është përqendruar tek lobet temporale:

Në shumë raste, pozicionimi i dhimbjes së kokës nuk është tregues i ndonjë gjëje për t’u shqetësuar. Por, nëse jeni mbi 50 vjeç dhe dhimbja e kokës është e përqendruar më shumë tek njëra ose të dyja lobet temporale (pjesët anësore të kokës, mes ballit dhe veshit), mund të jetë shenjë e arteritit temporal ( inflamacion i mureve të arterieve tek kjo pjesë e kokës).

 

Keni përplasur kokën dhe po përdorni hollues gjaku:

Nëse keni pësuar goditje në kokë dhe merrni medikamente për hollimin e gjakut, dhimbja e kokës mund të tregojë për hematomë subdurale ose një lloj gjakderdhje e ngadaltë brenda kokës që, falë holluesve, nuk lejon mpiksjen e gjakut.

 

Dhimbja është ngjitëse:

Nëse njerëzit përreth jush,familja apo kolegët, po ankohen për dhimbje koke, ndërkohë që edhe ju po përjetoni një dhimbje të pazakontë, mund të jetë shenjë e helmimit nga dyoksidi i karbonit. Nëse pasi të dilni jashtë dhimbja fillon të lehtësohet, atëherë lajmëroni të tjerët që të hapin dritaret ose dyert që të pastrohet ajri./Living

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.