Lidhja demokratike e Kosovës ka përcaktuar emrat e ministrave për qeverinë e re e cila do të votohet nesër në orën 11. I mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti bëri të ditur se edhe subjektet e tjera politike të koalicionit, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet, do t’i bëjnë publike emrat e propozuar për ministra përpara seancës të së mërkurës.

AVDULLAH HOTI

KRYEMINISTER I MANDATUAR I KOSOVES

“Driton Selmanaj për zëvendëskryeministër nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami si ministre e Financave, Besjan Mustafa si ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Anton Çuni mbetet si ministër i Mbrojtjes, Arban Abrashi si ministër të Infrastrukturës, Agim Veliu si ministër i Brendshëm dhe Armend Zemaj si ministër i Shëndetësisë”, ka deklaruar Hoti.

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i partisë, Isa Mustafa garantoi se i ka votat për miratimin e kabinetit Hoti.

Por, një ditë para seancës për votimin e qeverisë së re, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani njëkohësisht edhe nënkryetare e LDK-së, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas përfundimit të pandemisë.

Ndërkaq lëvizjes vetëvendosje nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të kërkojë zgjedhje të reja me anë të një peticioni.  Vetëvendosje fillimisht nisi mbledhjen e firmave online, ndërsa pas zbutjes së masave kundër COVID-19, peticioni po nënshkruhet edhe në sheshet kryesore të Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *