Ushtria izraelite publikoi imazhe të martën mbrëma të tunelit të ngushtë nëntokësor në të cilin tha se gjeti trupat e gjashtë pengjeve të vrarë nga rreth 10 ditë më parë në Rripin jugor të Gazës.
Zbulimi i trupave të gjashtë pengjeve, i shpallur më 1 shtator, shkaktoi pikëllim dhe zemërim në Izrael, me protesta masive që i bënë thirrje qeverisë të bëjë më shumë për të rikthyer pengjet që ende mbahen në Gaza.
Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, gjatë një prononcimi në televizionin izraelit, ka dhënë detaje për kushtet e ndalimit të pengjeve në këtë tunel, rreth 80 centimetra i gjerë, më pak se 170 centimetra i lartë dhe 120 metra i gjatë, i vendosur 20 metra nën tokë në Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Teksa filmonte veten duke u rrëzuar në këtë tunel nga një bosht hyrjeje, Hagari u shfaq më pas në kamera duke u përkulur në këtë bodrum shumë të ulët për të “qëndruar në këmbë”, siç tha ai.
“Ata ishin heronj që i mbijetuan kushteve të tmerrshme të paraburgimit (derisa u vranë),” tha ai.
Brenda tunelit, kamera e ushtrisë tregon dyshekë të shpërndarë, shishe dhe kova për nevojat e pengjeve.
Kundëradmirali Hagari, me doreza në duar, paraqet midis objekteve të ndryshme në tokë një set shahu, një karikator automatiku, një karikues elektrik “të përdorur nga terroristët”, një kopje të Kuranit, si dhe gëzhoja plumbash.
“Këtu shohim gjurmë gjaku,” thotë oficeri, duke treguar një pellg me ujë pikërisht në vendin ku pengjet jetuan momentet e tyre të fundit.
Forumi i Familjeve të Pengjeve reagoi ndaj pamjeve të paraqitura nga ushtria izraelite duke kërkuar nga autoritetet kthimin e menjëhershëm të njerëzve të tyre, duke këmbëngulur në “përgjegjësinë e kryeministrit dhe ministrave të tij për fatin e pengjeve tanë”./vizionplus.tv