Në Hagë ka nisur beteja ligjore lidhur me akuzat ndaj Izraelit për gjenocid në Gaza.

Seanca dëgjimore paraprake filloi me parashtrimin e argumenteve nga përfaqësuesit e Afrikës se Jugut, shtet i cili ka bërë edhe padinë, se pse Izraeli duhet të përgjigjet për krimet lufte në Gaza.

“Mosndëshkimi i gjatë për shkeljet e përhapura dhe sistematike të të drejtave të njeriut e ka trimëruar Izraelin në përsëritjen dhe intensifikimin e krimeve humanitare në Palestinë. Afrika e Jugut pranon se aktet gjenocidale nga shteti i Izraelit në mënyrë të pashmangshme janë pjesë e një vazhdimësie të akteve të paligjshme të kryera kundër popullit palestinez që nga viti 1948, tha një përfaqësues i Afrikës së jugut.

Afrika e Jugut ka kërkuar gjithashtu që gjykata të vendosë urdhra të përkohshëm detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e fushatës ushtarake. Ndërkohë, të premten do të jetë radha e përfaqësuesve  të Tel Avivit për të dhënë argumentet e tyre mbrojtëse.

Duke i konsideruar  të padrejta dhe të njëanshme këto akuza ,Izraeli do te dërgojë nesër një ekip të fortë ligjor për të mbrojtur  atë që konsiderohet si operacion  ushtarak, i nisur pas sulmit të Hamasit në 7 tetor 2023.

Nga lufta deri më tani janë vrarë më shumë se 23.200 palestinezë në Gaza. Rreth dy të tretat e të vdekurve janë gra dhe fëmijë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *