Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ahmed Abdullah Abu Shalal, i cili sipas ushtrisë izraelite ishte përgjegjës për infrastrukturën dhe kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, ishte në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e së mërkurës në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë parandaluar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes. Kjo organizatë tha përmes rrjeteve sociale se “të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve tona”.

Ushtria izraelite pretendoi se Abu Shalal dhe celula e tij planifikonin të kryenin një sulm dhe kishin marrë fonde dhe udhëzime nga “ burimet iraniane”. Ushtria nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *