Izraeli u kërkoi të enjten fuqive botërore që të ndërpresin menjëherë bisedimet bërthamore me Iranin, duke përmendur si argument njoftimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike se Teherani ka filluar prodhimin e uraniumit të pasuruar me centrifuga më të avancuara.

 

“Irani po e përdor shantazhin bërthamor si një taktikë negociuese dhe kjo duhet të marrë si përgjigje ndërprerjen e menjëhershme të negociatave dhe zbatimin e hapave të rreptë nga fuqitë botërore,” tha kryeministri Naftali Bennett në një telefonatë me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, sipas zyrës së zotit Naftali.

 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha të mërkurën se Irani kishte filluar procesin e pasurimit të uraniumit deri në 20% të pastër me 166 makineri të avancuara IR-6 në kompleksin Fordow.

 

Irani dhe fuqitë e mëdha po përpiqen në bisedimet e tyre në Vienë të rigjallërojnë një marrëveshje të vitit 2015, në bazë të së cilës Teherani kufizoi programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike nga ana e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga pakti në vitin 2018, gjatë administratës së ish- Presidentit të atëhershëm Donald Trump, dhe Irani reagoi duke shkelur kufizimet e marrëveshjes.

 

Një zyrtar izraelit tha se kryeministri Bennett i tha sekretarit Blinken se ishte kundër çdo heqjeje sanksionesh kundër Iranit, në mënyrë të veçantë kundër një marrëveshjeje të përkohshme, e cila do të nënkuptonte në mënyrë efektive “fluks masiv fondesh për regjimin iranian.”

 

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, në Fordow nuk duhet të ketë asnjë aktivitet për pasurim uraniumi./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *