E diel, 1 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

“Izraeli bëri genocid në Gaza”, hetimi i OKB: U synua shkatërrimi i popullsisë palestineze

Një hetim i pavarur i Kombeve të Bashkuara ka arritur për herë të parë në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza.

Hetuesit theksuan se që nga tetori 2023 autoritetet dhe forcat izraelite kanë kryer “katër nga pesë veprat e gjenocidit” të përcaktuara në Konventën e vitit 1948 për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit.

Këto përfshijnë: “vrasjen e anëtarëve të grupit, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore ose mendore, imponimin e qëllimshëm të kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin fizik të grupit në tërësi ose pjesërisht dhe masat për të parandaluar lindjet brenda grupit”.

Sipas raportit, deklaratat e hapura të autoriteteve civile dhe ushtarake izraelite, të shoqëruara me modelin e sjelljes së forcave izraelite, “tregojnë se veprat e gjenocidit janë kryer me qëllim të shkatërrimit të palestinezëve në Rripin e Gazës si grup”.

Reklamë

Raporti arrin në përfundimin se presidenti izraelit Isaac Herzog, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i mbrojtjes Yoav Gallant “kanë nxitur kryerjen e gjenocidit” dhe se autoritetet izraelite nuk kanë ndërmarrë masa për t’i ndëshkuar për këtë nxitje.

Komisioni nuk ka fuqi gjyqësore, por raportet e tij mund të shërbejnë si presion diplomatik dhe si bazë për mbledhjen e provave për gjykata.

Që nga fillimi i luftës Tel Avivi  është përballur me akuza për gjenocid nga organizata joqeveritare, ekspertë të pavarur të OKB-së dhe madje edhe në gjykata ndërkombëtare. Por autoritetet e vendit  i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Në janar 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i urdhëroi Izraelit të parandalojë aktet e “gjenocidit” në Gaza. Katër muaj më vonë, gjykata lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe Gallantin për dyshime mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

I pakënaqur me këtë veprim, muajin e kaluar presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të kësaj gjykate, përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurive të tyre në vend.

Ndërkohë gjatë natës Tel Avivi ka nisur një operacion në shkallë të gjerë  duke goditur rëndë  Rripin e Gazës. Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri izraelit  Benjamin Netanyahu I cili e konsideron Gazën bastionin e fundit  më të  madh  të Hamasit dhe është zotuar ta marrë atë nën kontroll./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë