Ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure puna për shembjen e urës së Dragostunjës, e vendosur në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës” në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas. Struktura u dëmtua rëndë pas rrëshqitjes së dheut dhe fundosjes së tokës.
Ekspertët e terrenit raportojnë se lëvizja e fuqishme e masivit shkaktoi destabilizim të themeleve, duke bërë të pamundur riparimin e urës. Zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë bërë strukturën të jashtë funksionit, duke përbërë një rrezik serioz për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve.
Zona vijon të jetë e klasifikuar me rrezik të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e tokës vazhdojnë të regjistrohen në disa segmente përreth, duke mbajtur situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet.
Si zgjidhje provizore për të rilidhur juglindjen me pjesën tjetër të Shqipërisë, ARRSH ka planifikuar ndërtimin e një rruge provizore 1.3 km buzë Shkumbinit.
/vizionplus.tv





