Italia ka lejuar anijen e shpëtimit “Ocean Viking” të zbarkojë 82 emigrantë në portin e Lampeduzës, por autoritetet italiane kanë kërkuar garanci që këta emigrantë të mos kenë Italinë si destinacionin e tyre të fundit, por të shpërndahen në vende tjera evropiane.
Ministri i ri i jashtëm italian dhe udhëheqësi i subjektit politik “Lëvizja Pesë Yjet”, Luigi Di Maio, theksoi se Italia ofroi ambient zbarkimi për anijen shpëtuese “Ocean Viking” vetëm pasi Evropa pranoi të marrë emigrantët afrikanë që ndodhen në anije.
Anija shpëtuese “Ocean Viking” ishte në misionin e saj të dytë dhe po endej për dy javë mes Maltës dhe Italisë, duke kërkuar një port për të zbarkuar emigrantët.
Organizata “Mjekët Pa Kufij” e cila e drejton anijen bashkë me organizatën “SOS Mediterranee”, thanë se grupi i emigrantëve përbëhet nga 58 burra, 6 gra dhe 18 fëmijë.
Në misionin e saj të parë “Ocean Viking” shpëtoi 365 emigrantë. Burime diplomatike thanë së fundmi se Italia është duke u munduar të krijojë një formë automatike të shpërndarjes së emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe, drejt vendeve evropiane.





