Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 38-vjeçar të akuzuar për vjedhje në kuadër të operacionit “Kopja”.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6 pas një hetimi disamujor, çoi në identifikimin dhe kapjen e shtetasit me iniciale B. H., i cili dyshohet se ka kryer të paktën 4 vjedhje gjatë vitit 2026.
Sipas hetimeve, 38-vjeçari monitoronte paraprakisht banesat që kishte në shënjestër dhe më pas hynte në to duke përdorur çelësa të kopjuar. Ai dyshohet se ka vjedhur para, bizhuteri dhe sende të ndryshme me vlerë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi sende të dyshuara të vjedhura, si dhe veshje që mendohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Autoritetet bëjnë me dije se i arrestuari ka precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme ku ai mund të jetë i përfshirë.





