Ishte i intubuar te “Shefqet Ndroqi”/ COVID i merr jetën aktorit Guljelm Radoja

Është shuar në moshën 76-vjeçare ikona e kinematografisë shqiptare Guljelm Radoja. I cilësuar si një ndër aktorët më me ndikim në filmin artistik, Radoja pas një përballje rreth dy javore me koronavirusin nuk arriti të mposhtë dot sëmundjen.
Ai po kurohej në spitalin rajonal të Durrësit por pas rendimit të gjendjes u transferua në sanatorium ku për 48 orë qëndroi në intubim. Njoftimin për humbjen e artistit të madh e ka bëre i biri i tij, pianisti Redi Radoja.
Aktori shkodran lindi në 2 korrik të 1945. Pas përfundimit të studimeve në institutin e lartë të artëve u punësua si aktor profesionist në disa teatro në Shqipëri, ku spikati në dramat “Trojanët” dhe “Me syrin e një klouni.”
Guljelm Radoja skaliti me mjeshtëri personazhe që mbeten në memorien e publikut. Magjinë e interpretimit e përsosi me rolet e Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, atë të Stefan Bardhit tek Mësonjëtorja, priftit te Kthimi i Ushtrisë së vdekur në 76 apo italianit Alberto tek Gjeneral Gramafoni në 78.
Vetëm në zhanrin e filmit artistik Guljelm Radoja numëron mbi 30 role. Për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare është nderuar me titullin artist i merituar.




