Subscribe

Vizion Plus ka mësuar detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në qytetin e Durrësit këtë të enjte, ku nënkomisari Arben Pjeçi i ka dhënë fund jetës brenda ambienteve të komisariatit me armën e shërbimit.

Pjeçi ishte pezulluar nga detyra, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e cila e kishte dënuar me punë në komunitet, për plagosje të lehtë.

Lexo edhe :

Related Posts

Burime për gazetarin e Vizion Plus Esido Barkaj, bëjnë me dije se shkak për vendimin e Gjykatës, ishte bërë një sherr me grushte mes nënkomisarit Pjeçi dhe fqinjit të tij (ish-polic) dy vite më parë.

Sipas burimeve, pas sherrit mes dy personave, ka qenë fqinji i Pjeçit që ka kallëzuar këtë të fundit në prokurori për plagosje të lehtë.

Ndërkohë që pak javë më parë Gjykata ka dhënë vendimin për Pjeçin duke e dënuar me punë në komunitet, ndërsa pritej edhe shkarkimi i tij nga puna.

Njoftimi i policisë:

Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat.

Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.

Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi.

Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.

Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal.

Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.

Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.

Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterrues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *