Ekstradohen nga Franca dhe Kosova, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me Interpol Paris, u bë ekstradimi nga Franca, i shtetasit E. G. alias E. Sh., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezh i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Rrethanat e ngjarjes: Shtetasi E. G. alias E. Sh., në janar 2021, në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin E. P.

Gjithashtu, nga Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese kosovare, u bë ekstradimi nga Kosova drejt Shqipërisë, i shtetasit Sh. I., 49 vjeç.

 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec,  i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

 

Rrethanat e ngjarjes: Shtetasi Sh. I. ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Hudënishti”, finalizuar më datë 08.08.2021, në Pogradec, si rezultat i të cilit u ndaluan 2 shtetas, u shpallën në kërkim 3 të tjerë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *