Një skemë e mirëfilltë kriminale, ku rolet dhe funksionet e secilit anëtar ishin të ndara, është zbuluar nga Prokuroria e Posaçme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në këtë grup bënin pjesë kultivues dhe trafikantë të kanabisit, por edhe zyrtarë të lartë të policisë.
Të paktën katër efektivë të lartë policie kishin lidhje prej kohësh me grupin kriminal që merrej me kultivimin e kanabisit në Sarandë dhe zonat përreth, lëndë narkotike që më pas trafikohej drejt Greqisë dhe jo vetëm. Në këmbim të shumave të parave, efektivët mbulonin kultivimin e drogës dhe i ndihmonin ata për ta kaluar kanabisin pa probleme drejt vendit fqinj.
Gjatë operacionit të zhvilluar ditën e shtunë, u lëshuan 10 masa sigurie të urdhëruara nga SPAK. Operacioni u shtri në disa qytete: Tiranë, Kukës, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Sarandë.
Nga katër efektivët e policisë të përfshirë, tre janë arrestuar, ndërkohë që njëri është ende në kërkim.
Në pranga ka rënë Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë. Ruska akuzohet për kultivim kanabisi, grup të strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, Ervis Alisinanaj, i cili akuzohet për të njëjtat akuza si Ruska, dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
I shpallur në kërkim është shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi, i akuzuar për “trafikim narkotikësh”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “shpërdorim detyre”.
Erdit Hazizaj, personi i katërt i arrestuar nga AMP, ishte larguar nga policia në vitin 2022. Hazizaj akuzohet nga SPAK për trafik droge, kultivim të bimëve narkotike, grup të strukturuar kriminal, shpërdorim detyre etj. Pas largimit nga policia, Hazizaj iu përkushtua politikës dhe garoi si kandidat i Sali Berishës për Bashkinë e Roskovecit në vitin 2023.
Sipas burimeve, hetimet e SPAK kanë nisur prej disa kohësh për efektivët e arrestuar, pasi në aplikacionet Sky ECC rezultoi se këta të fundit ishin të përfshirë me banda kriminale në fushën e narkotikëve dhe jo vetëm.
/vizionplus.tv




