Subscribe

Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi u plagos me thikë mëngjesin e kësaj të premteje. Ai u qëllua me mjet prerës në mjediset e parkingut të Bashkisë nga ish-punonjësi i këtij institucioni, 46-vjeçari Orges Xhelili, i cili u arrestua nga policia.

 

Kryebashkiaku socialist ishte së bashku me shoferin e tij. Sapo ata zbritën nga automjeti patën një konflikt verbal me autorin që po i priste në vendngjarje.

 

Debati që nisi me fjalë, u përshkallëzua brenda pak sekondave pasi 46-vjeçari Orges Xhelili nxori thikën dhe qëlloi fillimisht disa herë në pjesën e shpatullës dhe krahut kryetarin e bashkisë e më pas shoferin e tij, Gazmir Bullari, që ndërhyri për t’i ndarë.

 

Dy të plagosurit u dërguan me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës ku po marrin ndihmë mjekësore. Burime pranë bluzave të bardha thanë se kryebashkiaku Fredi Kokoneshi ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi në gjendje të rëndë, pasi plagët i ka në pjesën e barkut.

 

Ndërkohë autori u prangos dhe u shoqërua në komisariatin e Divjakës.

 

ALFRED ÇEPE

DREJTOR I POLICISE, FIER

 

Nga ana e shërbimeve të policisë u organizua menëjherë puna dhe u bë i mundur arrestimi i shtetasit OXH. Po mbledhim provat. Do punohet për sqarimin e të gjithë ngjarjes.

 

Shkak për ngjarjen dyshohet se u bënë konfliktet e vazhdueshme mes kreut të bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe autorit, të cilin para disa kohësh e kishte pushuar nga detyra e specialistit të IT.

 

Por debatet mes tyre, kohët e fundit ishin shtuar, për shkak të një konflikti pronësie, si dhe çështjes së bashkëshortes së autorit, e cila ishte ulur në detyrë në poliklinikën e Divjakës. Dhe për këtë autori fajësonte kryebashkiakun.

 

Për ngjarjen e rëndë reaguan edhe drejtues të Partisë Socialiste të cilët e quajtën plagosjen një sulm të pastër kriminal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *