Personeli mjekësor i një spitali në Kaliforni njoftoi se ish-Presidenti Bill Clinton, i cili u shtrua në spital më 12 tetor, po e merr veten pas dy ditësh trajtimi për një infeksion.

Shtatëdhjetë e pesë vjeçari u shtrua në Qendrën Spitalore Irvine të Universitetit të Kalifornisë të martën në mbrëmje për “një infeksion që nuk ka të bëjë me COVID-19”, shkruante zëdhënësi i zotit Clinton, Angel Urena në një postim në Twitter.

“Ai po e merr veten dhe është në gjendje të mirë shpirtërore. Ai u është mirënjohës mjekëve, infermierëve dhe stafit që i ofruan një shërbim të shkëlqyer”, shkruante zoti Urena.

Duke iu referuar mjekëve, rrjeti televiziv CNN njoftoi se zoti Clinton shkoi në spital pasi kishte ndjerë një lodhje trupore dhe u diagnostikua me një infeksion të gjakut, njohur ndryshe si helmim i gjakut, që mjekët besojnë se ka nisur fillimisht si një infeksion i traktit urinar.

Mjekët e ish-Presidentit, Alpesh Amin dhe Lisa Bardack, thanë se ai “u shtrua në spital për monitorim nga afër dhe se kishte marrë antibiotikë e serume”.

“Ai vazhdon të jetë i shtruar në spital për monitorim të vazhdueshëm”, thuhej në një deklaratë të mjekëve. “Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po ulet dhe trupi i tij po reagon mirë”.

Mjekët thanë se “shpresojnë që ai të kthehet në shtëpi së shpejti”.

Sipas CNN-it citoi zoti Clinton ndodhej në një njësi të kujdesit intensiv kryesisht për t’i siguruar atij privatësi.

Zoti Clinton, i cili ka shërbyer si president nga vitet 1993-2001, ka pasur edhe më parë probleme shëndetësore. Ai ka zhvilluar dy operacione në zemër në vitet 2004 dhe 2010, për të hapur një arterie të bllokuar. CNN njoftoi se shtrimi i zotit Clinton në spital nuk lidhet me problemet tij të zemrës./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *