Subscribe

Ish- prefektja e qarkut Fier, Rajmonda Balilaj, që u pezullua më urdhër të Gjykatës së Posaçme, e më pas u shkarkua me vendim qeverie, u paraqit sot në dyert e Prokurorisë Antikorrupsion. Ajo u njoh me hetimet që organi i akuzës po bën ndaj saj në cilësinë e ish-kryetares së Bashkisë Patos.

Sipas SPAK, Balilaj ka shkelur dy herë barazinë e pjesëmarrjes në tenderë. Fillimisht me ndërtimin emergjent të një muri mbartës për shkak të rrëshqitjes së tokës në aksin “Dukas -Breg” dhe së dyti duke përdorur po të njëjtën skemë edhe për rregullimin e rrugës në fshatin Ruzhdie.

Pyetjes së gazetarëve për 32 procedurat e prokurimi publik në Bashkinë e Patosit nga e njëjta kompani qysh prej vitit 2019, Balilaj iu përgjigj:

“Vullnetarisht, patjetër vullnetarisht. Nuk i kam parë akoma, më duhet ta lexoj një herë materialin. Nuk i kam numëruar, por dhe nëse është, çfarë problemi ka? Blerje baza materiale janë. Ka dokumente që e vërtetojnë, nu ka arsye pse të ketë pabarazi në tendera. Nuk kam qenë në Shqipëri, jam thirrur më herët si person që ka dijeni. Më vjen keq, nuk jam dakord por do vërtetohet gjithçka”, tha ajo.

Së bashku me ish-kryetaren, nën hetim janë marrë edhe 5 specialistë të bashkisë, duke iu ngarkuar edhe akuza e falsifikimit të dokumenteve. Dosja hetimore e prokurorisë thotë se në bashkëpunim ata paracaktuan fituesin e tenderit, përpara se të zhvillohej gara.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *