Subscribe

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është paraqitur mëngjesin e kësaj të mërkure në SPAK.

 

Mediu hyri në ambientet e prokurorisë së posaçme antikorrupsion rreth orës 9:40 ndërsa ishte i vetëm dhe pa praninë e një avokati. Prej disa orësh, ai po merret në pyetje nga ana e prokurores Enkeleda Minollai ndërsa, në fokus mësohet se është çështja e privatizimit të “ish-kompleksit Partizani”.

 

Burime pranë SPAK thanë se Mediu është thirrur në cilësinë e ish-minstrit të Mbrojtjes pasi mendohet se disponon informacion lidhur me procedurat e privatizimit.

 

Pak ditë më parë Kreu i SPAK, i drejtoi një kërkesë Kuvendit ku kërkoi autorizim për marrjen në pyetje të deputetit Fatmir Mediu. Ndërkohë prokurorja e çështjes në shkresën drejtuar kreut të Partisë Republikane theksonte se nëse ai do refuzonte do të urdhërohej shoqërimi i tij i detyrueshëm.

 

Privatizimi i ish-kompleksit ‘Partizani’ është denoncuar nga Partia Socialiste. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka paditur për këtë çështje në SPAK, ish-kryeministrin Sali Berisha, familjar të këtij të fundit por dhe anëtarë të kabinetit qeverisës me pretendimin se gjatë kohës së PD në pushtet, ata kanë përfituar financiarisht duke privatizuar afro 10 mijë metra katrorë tokë në pronësi të Minsitrisë së Mbrojtjes për të ndërtuar kulla.

Leave a Reply

Your email address will not be published.