Subscribe

Kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë paraqitur për herë të parë në gjykatën speciale për t’u njohur me akuzat e prokurorisë.

 

Kreu i Veteranëve të UÇK-së Hysni Gucati është vetëdeklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa theksoi se ai ka luftuar për të mbrojtur atdheun.

 

“Unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi mbrojtur shtëpinë tonë, dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur më tre qershor 1999 dhe sot jam invalid. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, ne kemi të drejtën të shprehemi dhe të themi mendimet tona. Ne kemi të drejtën të mbrojmë vlerat shqiptare dhe do vazhdojë t’i mbrojë deri në fund. Në të gjitha pikat që ju lexuat unë e ndjej veten të pafajshëm.”

 

Ndryshe  nga Gucati nënkryetari i Veteranëve, Nasim Haradinaj, hodhi akuza të forta ndaj prokurorisë speciale, duke e cilësuar si të korruptuar.

 

NASIM HARADINAJ

NËNKRYETAR I ORGANIZATËS SË VETERANËVE TË UÇK-së

 

“Siç po shihet këtu, Kosova dhe qytetarët e saj janë fajtorët kujdestarë. Organizata e UÇK nuk ka pas qasje, por në vendin tim është dashur të ishin kolegët e kësaj prokurorie. Nga ne dhe qëndrimet tona s’keni çka prisni. Qëndrimi jonë ka qenë publik se ne kemi qenë dyshues për prokurorinë. Për mendimin tim kjo gjykatë është politike, selektive dhe e njëanshme. Por sot po bindem se kjo Prokurori është edhe e korruptuar, pasi ndryshe nuk do të mund të dilnin gjithë ato dokumente nga këtu. Mundohet të njollosë luftën tonë çlirimtare.”

 

Ish-anëtarët e UÇK-së akuzohen për pengim, kërcënim, hakmarrje dhe zbulim të dosjeve të Prokurorisë. Ata u arrestuan në fund të shtatorit dhe u transferuan në Hagë, pasi dyshohet se kane shpërndare dokumente dhe informacione kofidenciale dhe jopublike që kanë lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.