Subscribe

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, tha Mustafa, i cili do të mbesë në paraburgim.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Avokati i Mustafës, i caktuar nga gjykata, Julius Von Boné, tha se mbrojtja mund të sfidojë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha Boné, i cili po ashtu kërkoi që i gjithë dokumentacioni i rastit të klientit të tij të jetë i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në letër.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou në fillim të seancës ia lexoi veprat për të cilat akuzohet se Mustafa i ka kryer gjatë vitit 1999.

Po ashtu, Mustafa u informua nga gjyqtari i procedurës paraprake për të drejtat e tij si dhe iu tha se ka të drejtë të kundërshtojë masën e paraburgimit.

Mustafa u arrestua me 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *