Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet konferenca e gjashtë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se në këtë rast janë përafërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtarë.

ZPS-ja tha se ka vazhduar nxjerrjen e materialeve dhe që nga konferenca e fundit statusore, janë nxjerrë të paktën 14 pako me materiale. Ndër to, thanë se janë edhe katër pako, me materiale potencialisht shfajësuese, që janë përmendur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Mbrojtja kritikoi Zyrën e Prokurorin e Specializuar për zvarritjen e nxjerrjes së materialeve dhe ndryshimin e afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse. Mbrojtësi i Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi që gjykatësi të caktojë një afat për dorëzimin e për tri raportet e ekspertëve, që paralajmëroi prokuroria.

Ndërkaq, mbrojtja e Veselit tha se gjykatësi duhet të caktojë një afat dhe pas tij, të mos pranohen materialet që dorëzon prokuroria.

Avokati i Rexhep Selimit, David Young kërkoi që mbrojtja, deri në muajin gusht të ketë listën e dëshmitarëve, në mënyrë që të mund ta përgatisë rastin.

ZPS-ja tha se ka nxjerr materiale të mjaftueshme me të cilat mund të merret mbrojtja. Por, avokati i Thaçit, Mishetiq, tha se mbrojtja kërkon informacione, veçanërisht për dëshmitarët që ka prezantuar prokuroria.

“Mbrojtja nuk po kërkon nxjerrje të materialeve, për të cituar ‘për të na mbajtur ne të zënë’. Ne po kërkojmë materiale të cilat ne mund t’i kategorizojmë, kur të kemi të gjitha dëshmitë. Ne do të kategorizojmë se çfarë na duhet për të prioritizuar për hetimet tona. Po, ka pasur volum të madh të materialeve që janë nxjerrë, por shumica e këtyre materialeve nuk mund të jetë e rëndësishme për të gjithë të akuzuarit. Por, nxjerrja e dokumenteve në letër nuk e ndihmon mbrojtjen, nuk ne nuk e kemi të gjithë informacionin. Në këtë fazë, janë 102 nga rreth 200 dëshmitarë, për të cilët nuk kemi asnjë informacion”, tha Mishetiq.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Pala mbrojtëse më herët ka kërkuar që ish-krerët e UÇK-së të mbrohen në liri.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *