Subscribe

Prokuroria speciale për krime Lufte në Kosovë ka nisur në Hagë marrjen ne pyetje te ish-pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ish komandantet Rustem Mustafa e Sami Lushtaku janë të parët që po merren në pyetje.

 

“Sot përfundoi intervista me mua pranë Dhomës së Specializuar në Hagë. Unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Pyetjet kanë qenë shumë serioze dhe ne kemi qenë shumë seriozë në përgjigje. UÇK-ja më ka mbrojtur mua dhe unë nuk kam pasur nevojë ta mbroj UÇK-në.”

 

Edhe Mustafa edhe Lushtaku kanë qenë komandantë të rëndësishëm të zonave operative në Kosovë, ndërsa pas luftës kanë mbetur aktivë në skenën politike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

 

Në mesin e atyre që kanë marrë  njoftimin është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë mediave lokale se nuk do të paraqitet pasi nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

 

Prokuroria Speciale nuk ka dhëne ende asnje informacion për ish-pjesëtarët e UÇK-së qe jane thirrur te merren në pyetje. Zyrtarët nuk pranuan të flasin as për cilësinë në të cilën janë dërguar njoftimet për marrje në pyetje, nëse ata paraqiten ne cilësinë e dëshmitarëve apo janë edhe të dyshuar. Kjo paqartësi ka nxitur po ashtu reagime të ekspertëve të drejtësisë në Prishtinë .Sipas mediave deri më 4 shkurt pritet të intervistohen rreth 100 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *