Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mblodhi këtë pasdite liderët e partive politike në përpjekje për formimin e qeverisë së re.
Pas konsultimit Thaçi tha se do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re, partisë që siguron shumicën në Kuvend.
HASHIM THAÇI
PRESIDENT I KOSOVES
“Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e Qeverisë së re, ndodhemi para pyetjes: Si rrjedhojë e vullnetit tuaj që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, do t’i jap mandatarin cilëdo parti që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re”.
Në takimin e kësaj pasditeje, të gjitha partitë e pranishme u shprehën pro formimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje të parakohshme për shkak të situatës së krijuar nga covid 19.
Isa Mustafa tha gjatë fjalës së tij se LDK është e gatshme të sigurojë shumicën.
ISA MUSTAFA
KRYETAR I LDK
“Në momentin e tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova, është faktor shtesë që të nxjerrim një qeveri që siguron shumicën në Kuvend të Kosovës dhe këtë ta bëjmë sa më shpejtë. Si LDK jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativën , të sigurojmë shumicën si parti e dytë nëse neve na ofrohet kjo përgjegjësi dhe mendoj që këtë do ta bëjmë bashkërisht, por vlerësoj plotësisht deklarimet e çdo subjekti”
Ndërkohë PDK-ja e Kadri veselit është e vendosur të qëndrojë në opozitë.
Gjatë takimit me liderët e partive politike, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu akuzoi presidentin se ka shkelur kushtetutën me thirrjen e partie politike për konsultim.
ALBULENA HAXHIU
DEPUTETET E LEVIZJES VETEVENDOSJE
“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”
Haxhiu tha gjatë fjalës së saj se Kryetari i Levizjes Vetëvendosje nuk mund të ishte present në këtë mbledhje, pasi e ka cilësuar ftesën e Thaçit jo serioze dhe se e ka marrë atë vetëm 1 orë e gjysëm para mbajtjes së takimit.
Më herët gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i dha të drejtë presidentit Thaçi duke theksuar se ai ka qënë në përputhje me kompetencat e presidentit, me ndërmarrjen e veprimeve të rëndësishme me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nga pandemia, por edhe më gjerë.





